Ani i BB, dashuria e ndaluar dhe lidhja me Çiljetën

30/03/2009 13:20

 

ciljata-dhe-ani-i-bbELBASAN - Antonini, banori më i ri i Big Brother-it, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm me staturën e tij të shkurtër, defekt qysh në lindje, pas sëmundjes së rubeolës që nëna e tij ka kaluar në shtatzëni, por edhe për faktin se vjen nga një fshat i largët, i quajtur Xibrakë, disa kilometra larg fshatit Shalës. Që të shkosh në shtëpinë e Anit, siç edhe të gjithë e thërrasin shkurt, do të duhet një mjet i fuqishëm, pasi gropat dhe balta e madhe janë të papërballueshme nga çdo lloj mjeti. Rruga e keqe sfumohet nga dashamirësia e banorëve, të cilët sapo e marrin vesh se jemi duke kërkuar shtëpinë e banorit më të ri të show-t televiziv. Ata thonë se janë shumë të kënaqur që Ani ka hyrë atje dhe që i përfaqëson si zonë. Të gjithë e ndjekin dhe janë bërë tifozë të zjarrtë të tij. Ata thonë se fshati i tyre do të bëhet i famshëm dhe ndoshta do t’i bëjnë edhe rrugën, e cila është një problem i madh për ta.
Mikpritja është edhe cilësia kryesore e familjes së Anit. Babai, Bashkimi, megjithëse ka kaluar probleme shëndetësore dhe paraqet një gjendje delikate, nxiton të tregojë gjithçka për të birin, qysh nga lindja e deri në momentin e hyrjes në Big Brother.
“Djali im nuk e ka të trashëguar të qenët xhuxh, por, në shtatzëni, gruaja ime, Hançja, u sëmur nga rubeola dhe nuk kishte asnjë mundësi për abort, pasi ishte vonë. Ne pritëm derisa lindi dhe madje i bëmë të gjithë analizat, sepse na thanë se mund të kishte probleme të shkaktuara nga sëmundja gjatë shtatzënisë. Lindi i shkurtër fare, me peshë 1.700 gram. Më ka ndihmuar Asqeri Kuqja, mjek në Belsh, nga ku e morëm fëmijën dhe e çuam tek specialistët më të mirë në Tiranë. Një mjek i njohur, që nuk ia mbaj mend emrin, më tha se djali do të kishte vetëm probleme në rritje dhe nuk do të kishte asnjë problem shëndetësor apo mendor. Kockat e gjymtyrëve, sipas mjekut, nuk do të zhvilloheshin. Kur ka qenë i vogël, Ani ka pasur probleme shëndetësore. Më pas gjithçka shkoi mirë nga ana e shëndetit por gjymtyrët nuk iu rritën. Unë e kam mbajtur afër gjithmonë. Shpesh, kur dilnim në qytet apo edhe në vende të tjera, njerëzit e shikonin dhe ai e kishte mjaft problem këtë. Ndihej në siklet, por më pas filloi të mësohej. E mbështetëm për të vazhduar shkollën e mesme në Belsh dhe fillimisht e kishte të vështirë. Falënderoj të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollës së mesme, pasi u kujdesën mjaft dhe e afruan, duke e bërë të ndihet njëri prej tyre. Ani ka shumë shoqëri dhe është një prej njerëzve më të dashur dhe të sinqertë që mund të njihni. Më pas, Bashkim Hysa, njeriu tek i cili punon Ani, duke shitur kaseta e disqe, e ka marrë dhe i ka dhënë shumë besim, duke e punësuar si dixhej nëpër dasma. Ikte në 6 nga shtëpia dhe vinte në mbrëmje.
Ka dëshirë të bëjë shtëpi të reja. Na ka ndihmuar shumë. Paratë e rrogës që fitonte Ani, i dorëzonte në shtëpi dhe babai i jepte pjesën që i duhej për të shkuar në punë, për ushqim e për kafe”.

Lidhja me Olën dhe më pas ndarja

Kunata e tij, Bukuria, tregon mbi lidhjen e Anit. Ajo thotë se ai hapej shumë me të. “Olën e kishte njohur në një dasmë në Lushnjë, tek gjyshja e saj, ku Ani kishte shkuar si dixhej. Flisnin bashkë, kishin ndërruar numrat e telefonit. Ani e kishte ftuar vajzën, e cila vjet ishte në vitin e dytë gjimnaz, në një mbrëmje mature në Belsh, ku ai ishte i ftuar si dixhej. Ola ka ardhur në Belsh, ka festuar me Anin atë natë dhe, në mëngjes, Ani e ka sjellë në shtëpi, ku ajo ka takuar prindërit. Vajza ishte normale dhe dukej mjaft e mirë. Madje, ajo thoshte se e donte Anin dhe se nuk e kishte problem se ai ishte me këtë lloj gjatësie. Ne i thamë sesi kishte ardhur problemi i Anit me sëmundjen nga lindja dhe se kjo nuk ishte e trashëgueshme. Familja e ka mirëpritur këtë lidhje dhe ne e kemi mbështetur, por me kalimin e ditëve, kontaktet u rralluan dhe komunikimi mes Olës dhe Anit u zbeh. Deri në tetor vazhdoi kjo situatë, por vajza vjen e takon Anin në Elbasan dhe kalon tek shtëpia e njërës prej motrave të tij. Ajo i kishte thënë se nuk e kanë lënë prindërit dhe se i kishin marrë telefonin. Atëherë, ai i blen një celular dhe një kartë, që ajo ta përdorte për të folur me të. Pas këtij momenti, vazhduan telefonatat deri në 24 dhjetor të vitit të kaluar, kur Ani kishte ditëlindjen, mbushte 23 vjeç. E priti atë ditë që të binte telefoni, por ai nuk ra asnjëherë dhe, nga ai moment, ai vendosi të mos kontaktojë më me Olën.

Historia me Çiljetën

Jo shumë kohë më parë, në Belsh vjen Çiljeta bashkë me këngëtarë dhe humoristë të tjerë. Ani nuk i humbiste lehtë këto gjëra. Shkoi në këtë koncert dhe atje, duke kërcyer, Çiljeta e shikon dhe e fton në skenë. Më pas e merr dhe e shëtit me makinë në qytet. Aty shkëmbejnë edhe numrat e celularëve dhe Ani bëhet pjesë e një videoklipi të këngëtares. Prindërit thonë se Çiljeta e ka ndihmuar që Ani të shkonte në Big Brother. Ajo e kishte numrin e telefonit të Anit dhe ia kishte dhënë gazetarit që ka komunikuar me Anin. Babai i tij, Bashkimi, tregon se kur atë natë Ani është kthyer në shtëpi, pasi i kishin propozuar të hynte në Big Brother, i ka thënë se kishte një surprizë. “Pa marrë pohimin në shtëpi, s’mund të them asgjë”,- u kishte thënë atyre të emisionit. “Vjen në shtëpi dhe më zgjon, pasi unë isha në gjumë. Më thoshte se kishte një surprizë. Unë ta japë lejen që të hysh, por ti vendos me mendjen tënde”. Të gjithë në shtëpinë e tij e kanë mbështetur dhe janë duke e ndjekur 24 orë në 24. Babai thotë se, deri tani, të gjithë banorët po sillen mirë me të. Ai shqetësohet se mos i bëjnë keq, pasi ai është edhe mjaft i ndjeshëm dhe do të ndihej keq nëse do të fillojnë të tallen e ta shajnë. Ani pëlqen shumë picën. I pëlqejnë shumë gjellët e ndryshme dhe pasioni i tij i madh është muzika dhe kërcimi.
Familja e Anit përbëhet nga babai Bashkimi, nëna Hançja, vëllai Shkëlqimi, kunata Bukuria dhe motrat e martuara Dhurata, Shegushi, Anila dhe Mirela. Kjo familje ka 9 nipër e mbesa. Ani është fëmija i vogël i shtëpisë. Emrin ia ka ngjitur vëllai, Shkëlqimi, pasi e kishte dëgjuar në televizor, si personazh i një filmi.

Back

Search site

© 2009 | te gjitha te drejtat e rezervuara |besi2.tk|besi --- Lecos.