Cfare ndodhi midis Adeles dhe ish te fejuarit

11/04/2009 00:09

 

Ka ndryshuar status, por nuk pranon se i ka ndryshuar jeta. Papritur u bë personazh gazetash, pa e njohur askush më parë. Vetëm për shkak të një vendimi që mori ish-e fejuara e tij për të hyrë në një “reality show” si “Big Brother”. Sa më shumë i shmangej interesit të mediave, aq më enigmatik dhe interesant bëhej. Quhet Agron Lushka dhe është vetëm 26 vjeç. Ish i fejuari i Adelajdës, njërës prej banoreve në “BB” 2 vendos të shfaqet pikërisht tani në një moment, që askujt s’do t’ia kishte pritur mendja. Thotë se nuk ndjek asnjë sekond transmetim nga spektakli në Top Channel, pasi nuk i pëlqejnë fare këto formate televizive. Pas dy muaj heshtjeje vendos të vijë në Tiranë nga Kavaja e të flasë ekskluzivisht për “Panorama Plus”, duke shuar kuriozitetin e të gjithëve për të vërtetën e ndarjes nga Adela. Edhe pse një djalë simpatik, ezmer, i veshur bukur, ai nuk donte të identifikohej.
Ndaj ne i përgatitëm një kurth të vogël në momentin, kur po dilnim nga një lokal i Tiranës. E kemi fotografuar ndërsa ai po largohej për të marrë makinën e tij.

Si ndihesh kur të përmendin në “Big Brother”, dhe si e konsideron vendimin e Adelës për të hyrë aty?
E shoh pa lidhje të përmendet emri im në atë spektakël, pasi unë nuk kam më lidhje me Adelën. Dhe e quaj gabim hyrjen e saj në “Big Brother”.

Shumë thashetheme pati për përjetimet e tua, dhe se madje ke qenë sëmurë?
Jam shumë mirë. Më mirë s’ka ku shkon.
Ka pasur informacione se ti madje braktise punën?
Nuk e kam lënë punën përfundimisht, vazhdoj të punoj, përveç disa ditëve që mora raport, pasi kalova një grip.
Ke ndjerë mërzi nga gjithë kjo histori?
E pata pak të rëndë në fillim, por kam qëndruar gjithë kohën me shokët, të cilët më kanë dhënë kurajo
të mos mërzitem.
Ndryshove status nga i fejuar në beqar, po si kalon një ditë normale tani që je vetëm?
Është një ditë e zakonshme, puna si shofer në zjarrfikësen e Kavajës 24 orë, shkolla par-time, në vitin e parë për Inxhinieri Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës, dal me shokët, ndjek sport në tv, dhe gjatë fundjavave jam në Tiranë të argëtohem në ndonjë lokal nate.


 

Domethënë ti nuk e ndjek aspak spektaklin “Big Brother”?
Jo, absolutisht. Kam ndjekur vetëm dy përmbledhjet e para dhe asgjë tjetër. Digitalbin ua fala kushërinjve të mi, për të mos pasur fare mundësi të shoh atë spektakël.
E çfarë ndjeve kur e pe Adelën aty, dy javët e para?
Të them të drejtën nuk ndjeva asgjë, pasi e kisha ndarë mendjen që dy javë para se ajo të hynte në “Big Brother”, që unë dhe ajo s’do kishim më punë bashkë.
Domethënë je ti që e le Adelën, apo ajo hyri në BB pasi ishte mërzitur nga ty?
Më saktë po të them që jemi ndarë. Vendimin e mora unë, dhe ajo po e kuptonte mirë pse po e bëja.
Pse po e bëje?

Sepse isha dhe jam kundër idesë, që personi që kam zgjedhur në krah, ta ndajë jetën e saj me publikun.
Më pëlqen jeta që bëj, nuk më mungon asgjë. Jam tipi që dua të kaloj jetë të thjeshtë, normale pa shumë komplikime. Të them të drejtën nuk ndihem rehat të kem në krah një person publik.
Kur ta tha Adela që do të hynte në këtë “reality show”?
Ekzaktësisht më 22 janar, pasi kishte marrë konfirmimin nga “Top Channel”, që ishte pranuar si konkurrente.
Ky ishte komunikimi i fundit që patët?

Jo.Në ditët në vazhdim më lutej në telefon, që të mos merrja atë vendim, dhe të isha pjesë e klipit që “Top
Channel” po përgatiste me të. Por nuk pranova. Nuk mund të bija dakord me veprimin e saj, aq më tepër që e kishte bërë pa dijeninë time.
Natën e 14 shkurtit ti e këshillove nëpërmjet telefonit: “Ji vetvetja”! Çfarë kishe parasysh?
Kisha parasysh të sillej si ajo vajza e mirë, ashtu si unë e kam njohur në fillim, e urtë dhe e qetë. Të njëjtat fjalë ia thashë edhe para se të hynte në atë shtëpi. Edhe pse u ndamë e këshillova të mos tjetërsohej, shtirej, apo të krijonte afrimitet me djemtë aty brenda.
Tani ç’mund të thuash?
Nuk flas dot keq për Adelën, se e kam të rëndë. Mendoj se kam qenë i lidhur pesë vite me të, dhe do të ishte shumë e ulët tani t’i hedh poshtë edhe pse punët erdhën kështu. Por ajo indirekt të ka cilësuar
si pijanec dhe bixhozxhi, dhe se i urren ata që kanë këto vese.

Ke ndonjë koment?
Adelajda mund të thotë ç’të dojë, por gjithsesi bën gabim. Unë nuk e di nëse mund të quhet pijanec një
mashkull që konsumon një apo dy birra për qejf. Përsa i përket bixhozit, mund të them se e vetmja gjë që bëj, është se hedh skedina kur ka ndeshje, maksimumi 2 mijë lekëshe. Asgjë më shumë. Supozojmë se Adela do të ta kishte thënë këtë gjë para se të merrte pjesë në audicion.

A mund të kishte ndodhur ndryshe?
Jo aspak. Edhe sikur të ma kishte thënë më parë, unë prapë s’kisha për ta pranuar, pasi janë kundër këtyre spektakleve.
Nëse ajo do të kërkonte të takonte pas daljes nga shtëpia, ti si do veproje?
Unë i uroj të fitojë BB2, por gjithsesi s’ka më punë me mua.
Thua se e ke dashur. A mund të ndodhë të ikë dashuria kaq shpejt?
Po patjetër që mund të ndodhë. Tashmë nuk ndjej asgjë për Adelën. Veprimi që bëri pa dijeninë time ishte shumë i rëndë, sepse e bëri me pabesi. Më erdhi papritur, dhe natyrisht u ndjeva keq. E dashuria mund të marrë fund, kur nuk tregohesh e sinqertë me partnerin. Është shumë e rëndësishme.

Me kaq sa ke ndjekur “Big Brother” për çfarë të vjen keq më shumë?
Më ka ardhur keq për fjalët që ka thënë aty brenda se nuk ka bërë çka dashur në jetë. Unë i plotësoja gjithçka Adelës, e lejoja të bënte jetën e saj si të donte, dilnim bashkë, pinte kafe me shoqet, nuk isha xheloz, madje dhe punën si mësuese unë ia rregullova pasi më thoshte se mërzitej në shtëpi. Bëmë të
pamundurën për ta futur në shkollë në Elbasan… Pra mendoj se ia kam plotësuar të gjitha, me aq sa kam pasur mundësi.
Sa e lidhur ishte ajo me familjen tënde?
Motra që jeton në Itali me dy vajzat e saj, babai por veçanërisht mamaja e donin shumë Adelën. Ne jemi një familje as e mbyllur, e as e shthurur dhe bëjmë një jetë të mirë në Kavajë. Mami e ka dashur fort, madje më shumë se vajzën e saj. Dhe nëse do ndodhte që unë të ngrija zërin me të, mamin do ta kisha
gjithnjë kundër.
E përse të ndodhte ta ngrije zërin?
Për shkak të mosmarrëveshjeve të ndryshme, apo grindjeve të momentit.
Pas daljes nga “Big Brother”, mendon se Adela do vazhdojë jetën në Kavajë?

Jo. Kam përshtypjen se ajo nuk do vazhdojë të jetojë më në atë qytet.
Dhe nëse do bëje një reflektim për atë fejesë, çfarë mund të thoshe?
Mund të them që s’e paskam njohur fare në këto pesë vite, dhe më vjen shumë keq për këtë.

Ruan kujtime të saj?
Jo, asgjë. I kam zhdukur
të gjitha fotografitë e kujtimet.
Po më ka mbetur në
shtëpi vetëm unaza e fejesës.
Po ashtu mesa di dhe Adela
hyri në shtëpi pa unazën e
fejesës. Në 14 shkurt, ditën
kur folëm në telefon ka
hequr dhe një unazë, që unë
ia kisha bërë dhuratë për
Shën Valentinin.

Back

Search site

© 2009 | te gjitha te drejtat e rezervuara |besi2.tk|besi --- Lecos.