Ditët e para të Arit në shtëpinë e “Big Brother”

11/04/2009 17:45

 

arjan-rreze-big-brother-albania-2Rrëfimi i Arjanit : Edukatën e kam nga babai im

Arjan Bakalli, një nga banorët më të rinj, i cili ndodhet brenda shtëpisë së “Big Brother” vetëm prej një jave, ka bërë tregimin e tij të parë rreth jetës së tij në dhomën e rrëfimit. Ai tregon se ka filluar të ndihet mirë me të gjithë banorët e shtëpisë, por më afër ndihet me Junën. “Ndoshta sepse ajo vjen nga jashtë, ashtu si dhe unë, dhe kush jeton jashtë, ka tjetër reflektim mbi Shqipërinë dhe për jetën këtu”. Arjani tregon se : “Kur isha jashtë, nuk i ndiqja shumë. Më tepër shikoja përmbledhjet që transmetoheshin në ‘Top Channel’ dhe ato që botoheshin përditë në gazetën ‘Shqip’. Tani që jam brenda, banorët më duken më mirë se jashtë. Edhe pse Toni më tha të kem kujdes nga Qetsori dhe Arjoni, se i kishte dëgjuar të flisnin për mua… por nuk shqetësohem aspak nga kjo gjë”, vazhdon rrëfimin e tij Arjani, i cili zbulon qëllimin e përfshirjes së tij në “Big Brother”.

“Të them të drejtën, unë nuk kam hyrë këtu për paratë, por për fitoren si koncept. Natyrisht që paratë më duhen, pasi duhet të mbaroj shkollën në Francë, por ajo që më intereson më shumë është fitorja dhe perceptimi i publikut për mua”. Në fakt, Arjani duket se ka hyrë në “Big Brother” për të rigjetur forcën për të ecur përpara. “Kam kohë që e kam humbur dëshirën për të luftuar, jam bërë pasiv. Ka dhe një tjetër arsye, ai rrëfen se kërkon ta bëjë “reality show”-n temë të diplomës së tij. “Një javë para se të hyja në ‘Big Brother’, isha në Paris dhe takova profesorin tim. I thashë se kisha dëshirë të bëja si temë pikërisht BB, duke marrë pjesë vetë dhe në fund të dorëzoja një dvd me pjesë të ndryshme nga BB, të shoqëruara me një studim rreth 20 faqe. Profesori u ekzaltua dhe më mbështeti”. Arjani shprehet se e ka famën e tij, natyrisht për ata njerëz që e rrethojnë. Megjithatë, fama në konceptin popullor të fjalës nuk është e padëshiruar për të. “Kur mësova sa vetë votojnë për banorët, atëherë thashë me vete: Nëse unë votohem nga 2.5 milionë njerëz, është njësoj si të votohem President”. Por duke vijuar me shaka, Ari hedh poshtë idenë e përfshirjes në një parti me rastin e fushatës që po afron.

Duke folur për veten, Arjani rrëfen: “Shpesh jam njeri shumë i papëlqyer për disa, pasi u dukem mendjemadh, por unë nuk shtirem dot. Ajo që nuk duroj dot është kur më prekin në karakter dhe në luajalitetin tim. Nëse më vënë në dyshim ato që them, çmendem fare”. Gjatë rrëfimit, Arjani tregon edhe për familjen e tij. “Babai im është rritur në një shtëpi të madhe, borgjeze dhe me hierarki. Respektohej femra, por prania e babait dhe e gjyshit ishte kryesore. Unë vetë jam rritur në një shtëpi 200-vjeçare, mbushur me skulptura. Vazhdimisht më thuhej se shkolla është shumë e rëndësishme. Të them të drejtën, tani e ndiej vërtet që paskam mbiemër me vlera”. Një lidhje e fortë ka ekzistuar mes Arjanit dhe babait të tij: “Im atë ka qenë njeri korrekt. Edukatën e kam të gjithë nga ai. Kur isha adoleshent, më tha: ‘Kjo është dhoma jote dhe dua që kur të njohësh ndonjë femër, të vish këtu në dhomën tënde, në shtëpinë tënde dhe të mos shkosh lart e poshtë’. Ose më thoshte: ‘Kurrë mos e gënje një femër’, apo ‘Merr vetëm pjesën tënde’. Babai im e adhuronte notin, femrat dhe artin. Vuajti shumë nga sistemi, sepse ia hoqi atë mënyrë jetese, por falë xhaxhait tim, që në atë kohë ishte një nga doktorët më të mirë në Shqipëri, shpëtuam nga internimi. Nëse arrij të bëj aq sa ka bërë im atë, them se do jem i kënaqur dhe them se edhe ai do të jetë i kënaqur”, shprehet Arjani. Ai kujton gjithashtu momentet e fundit me të atin: “Dy ditë para se të vdiste, erdhi në dhomë dhe më bëri vërejtje për veshjen, se nuk i kisha kombinuar mirë ngjyrat. Kur e kujtoj tani, nuk kam trishtim. Ndiej vetëm mall dhe respekt” (përlotet). 

Back

Search site

© 2009 | te gjitha te drejtat e rezervuara |besi2.tk|besi --- Lecos.