Republika, vajza nga Lazarati e cila u eleminua javën e kaluar, nuk ka ngurruar t’i bashkohet grupit të miqve me të cilët u njoh falë bashkëjetesës në shtëpinë e “Big Brother”, për të kaluar me ta një natë argëtimi tek lokali me karaoke “Magic 4”. Menjëherë mbas mbarimit të spektaklit, ajo i është bashkuar Zhuljetës, Agonit, Erjolës, Mesidës, Pavlinit por edhe Virusit, për të kaluar një natë mbase të pazakontë
për vajzën e cila jeton në një zonë jo aq të emancipuar. Madje atë natë ajo jo vetëm që nuk e ka shfaqur natyrën e saj fanatike, por ka kërcyer dhe shijuar ambientin e mrekullueshëm të këtij lokali. Paparaci ynë ka arritur ta fotografojë edhe në momentet kur ajo ka puthur Zhuljetën, për të cilën nuk i ka kursyer asnjëherë fjalët që shprehnin antipatinë. Zhuljeta, ose “delikatja e madhe që ajo nuk e duronte dot”, papritur është bërë si një ëngjëll në sytë e Bikes duke mos i krijuar as bezdinë më të vogël në krah të saj. Natyrisht ne e dimë mirë se banorët brenda shtëpisë së “Big Brother”, shpesh duhet të pozicionohen me simpatitë dhe antipatitë e tyre për hir të lojës, por gjithsesi Bikja me natyrën e saj të prerë, të dukej shumë e sinqertë për çdo gjë që shprehte. Gjithsesi ajo një gjë e ka kuptuar mirë, që pas “Big Brother”, spektakli vazhdon falë gazetave që vijojnë t’i ndjekin dhe të shkruajnë për ta.