Zhuljeta e BB: ‘Lidhja ime’ me biznesmenin e martuar

30/03/2009 13:19

 

 

Zhuljeta Daci rrëfen qëndrimin në shtëpinë e Big Brother-it. Shoqëria e ngushtë me Arjonin dhe dashuria për Romeon.

Është përfolur për një lidhje me një biznesmen të martuar, dhe këtë pranon ta sqarojë publikisht se nuk është aspak e vërtetë. Zhulejta Daci, një nga banoret e përjashtuara nga shtëpia e Big Brother-it, rrëfen se nuk ka pasur ndonjëherë një lidhje të tillë. Në një intervistë për SH2-shin, ajo ka treguar gjithçka që ka ndodhur brenda shtëpisë më të. Ka pranuar se ka luajtur fort aty brenda, gjë e cila edhe mund ta ketë dëmtuar. Për sa i përket lidhjes së veçantë që ka pasur me një nga djemtë e shtëpisë, Arjonin, thotë që e ka vetëm një mik të mirë dhe asgjë më tepër. Ndërsa për lidhjen Adelajda-Bjordi, pohon se, ai që dashuron nuk duhet të fshihet. Personi që i ka munguar më shumë në shtëpi, është i vëllai i saj, Romeo, më të cilin ka një lidhje të veçantë.
Cila ishte arsyeja që ju morët pjesë në Big Brother?
Kishte vetëm një motiv: të mësoja veten që të mos kisha frikë nga masa. Duke qenë një njeri që nuk kam bërë jetë kolektive, pasi në ambiente me njerëz nuk jetoj dot, mendova ta provoja, kjo më shumë për të testuar veten. Mendoja se ia dola. Përderisa rezistova 5 javë, mendoj se e kam përballuar. Me futjen në këtë reality show, m’u hap një dritë jeshile, mes luftës dhe fobisë. Unë kam fobi të ndenjurit në ambiente me shumë njerëz, ku është shumë rrëmujë, aty ku gjithçka është me shumicë, unë nuk rri dot.
Ç’farë ke dhënë, dhe çfarë more nga Big Brother-i?
Një gjë e them me bindje, se dhashë 100 për qind privatësinë time dhe me këtë shova kureshtjen e të gjithë njerëzve për të më njohur më mirë në intimitetin tim. Dhashë ndjenjë, dhashë katër kile nga pesha ime, se e bëra trurin të xhironte intensivisht. Truri im ka xhiruar më tepër për të bërë të mundur njohjen e natyrave të personave dhe personazheve të tyre, për t’u vetëpozicionuar pas dy javëve qëndrim në personazhin tim.
Pse nuk pranove të ishe vetja jote pra, Zhuljeta?
Tentova dhe në fund e kuptova se, duke qenë Zhuljeta, nuk do të fitoja pikë. Aty brenda je në një luftë psikologjike, si me veten, ashtu edhe me banorët e tjerë që përbëjnë shtëpinë.
Duke mos qenë vetja jote dhe duke u pozicionuar në një rol, mendon se ky ishte shkaku që dole kaq herët nga shtëpia?
Jo, nuk e besoj. Ia dola sepse ne aty ishim në një garë, me njerëz totalisht të panjohur. Në të gjithë personazhet që shihja, kuptova se mungonte personazhi im, i pozicionuar si një “kontrapedalë”.
Gjatë qëndrimit në shtëpi, ke pasur një lidhje të veçantë me një nga banorët e shtëpisë. Ka qenë dashuri apo thjeshtë shoqëri ajo që ke ndjerë për Arjonin ?
Unë Arjonit ia kam shpjeguar në bisedat e mia me të. Po ashtu, ua kam shpjeguar edhe banorëve të tjerë aty brenda. Njeriu, në të tilla situata ka nevojë për njerëz. Ka nevojë për dikë që të ngjajë me veten, si dhe me dikë shumë të dashur për atë person. Ky ngjasim na bëri që ne të bëheshim aq miq sa edhe e kemi transmetuar në ekran. Me Arjonin ndanim të njëjtat shije, preferenca dhe mendime. Ndërsa ajo që shihja unë tek ai ishte një ngjashmëri me tim vëlla. Ndërsa ai më shikonte si shumë të ngjashme me nënën e tij. Me këtë dua të them që, unë miqtë i zgjedh të ngjashëm, ndërsa partnerin deri diku të ndryshëm. Në të dy përcollëm aty mesazhin se dy miq të mirë, i përkushtohen njëri-tjetrit, se respektojnë kufijtë e vendosur nga miqësia jonë.
Mendon se për 5 javë qëndrimi në shtëpi, mund të njohësh një person sa të flasësh me kaq siguri?
Unë, për të besuar miqësinë time, testoj. Ai është një mik shumë i mirë për mua.
Në qoftë se do të ishit tani në shtëpinë e Big Brother-it, çfarë do të kishit bërë ndryshe nga ato që nuk bëre kur ishe aty brenda?
….. Po i lë njerëzit të imagjinojnë!
Ka Zhuljeta një lidhje dashurie jashtë shtëpisë së BB-së?
Gjatë qëndrimit në shtëpi, më mungoi imë vëlla, Romeo. Më këtë i përgjigjëm tërësisht pyetjes suaj.
Tani që jeni jashtë, i ndiqni banorët brenda dhe si ju duken?
E ndjek dhe e shijoj jetesën e tyre brenda në shtëpi. Ata më përcjellin emocion, se arrita t’i njoh mirë.
Kush mendon se do të fitojë 70 mijë euro?
Për mua kanë thënë që jam një lloj Nostradamusi dhe i kam dhënë emrat që do të shkojnë në finale, që pas mbarimit të javës së parë. Ato nuk janë transmetuar, dhe ky është një test për veten, se sa kam arritur të parashikoj në këtë rast. Përderisa unë hoqa dorë pas dy javësh nga çmimi, pasi hoqa dorë dhe nga të qenit Zhuljeta, nuk mund të them emra, por një ditë do të dalë ajo çka kam menduar aty. Malli dhe dashuria, mungesa e vëllait tim, vlen pa fund për mua. Uroj të fitojë ai që ndërthur inteligjencën me prakticitetin, që do të thotë, lojtari më i mirë.
Në shtypin e përditshëm jeni përfolur për një lidhje dashurie me një biznesmen 50-vjeçar të martuar. Sa e vërtetë është kjo?
Lajmi që bëri aq shumë sensacion dhe rriti shitjen e gazetave është i rremë. Unë, duke pasur vetëbesim, vetësiguri, di edhe të përzgjedh shumë mirë. Duke qenë edhe natyrë selektive, unë nuk e pi qumështin, sepse e shijoj, që do të thotë me pëlqen njomësia që gjërat e bukura dhe të paqta më dhurojnë.
Ke frikë nga fama?
Frikë, jo. Në një farë mënyre, para se të futesha në Big Brother, kam jetuar me famën. Më ngatërronin gjithmonë me Çiljetën. Në fillim më shikonin dhe më pas, kur më vështronin mirë, e kuptonin që nuk isha ajo. Tani më njohin si Zhuljeta e BB-së. Po e ndjej dhe e shoh gjithmonë e më shumë që njerëzit më njohin, madje kam dhënë edhe shumë autografe. Kam marrë urime dhe vërejtje. Ajo që bëj është se i buzëqesh edhe atij që më kritikon. Unë jam njeri që fal dashuri, edhe kur nuk marr dashuri.
Po nga familja, cila ishte vërejtja që t’u bë?
Mami më ka bërë vërejtje nga familja, që përse luajta rol dhe nuk isha vetvetja.
Është e lumtur Zhuljeta që e provoi këtë eksperiencë?
Jam shumë e lumtur. Vetë fakti që isha e përzgjedhur, ishte fitore për mua. Gjatë qëndrimit tim aty, i dhurova vetes dhe teleshikuesve realitetin e një njeriu që i mbart të gjitha, qofshin anët pozitive edhe ato negative. Qenia njeri është krijuar për të provuar këto eksperienca në jetë.
Sa të ndihmoi fama? Pas daljes nga shtëpia, ke marrë ndonjë ofertë pune?
E para, që është më kryesorja, m’u hap një dritë jeshile ndaj fobisë sime, që janë masat. Unë ndihem shumë mirë në punën time. Inxhinieria mekanike ka qenë pasioni im, dhe punë që më përmbush një nga pasionet, megjithëse kam mbaruar për gjuhë të huaja. Nuk është se nuk kam pasur oferta, por do t’i mendoj. Ajo që dua unë me gjithë zemër, është të më jepet mundësia të luaj në një film. Këtë e kam ëndërr.
Si e shikon ti, si një banore e brendshme e asaj shtëpie, marrëdhënien Bjordi-Adelajda?
Marrëdhënia Bjordi-Adelajda, për syrin e teleshikuesit që ka mundësi të shohë në çdo moment dhe situatë, duket interesante. Nëse mes tyre ka ndjenjë të vërtetë dhe dëshirë për ta pasur njëri-tjetrin të afërt në zemër, por pse jo edhe fizikisht, këtë e dinë vetëm ata. Pasi unë dola, pashë një puthje mes tyre, që më transmetoi emocion dhe kënaqësi. Më bëri të mendoj se, njeriu kur është përballë kamerave, ka vartësi, por në ato çaste, edhe pse e vë në dyshim mungesën e vëzhgimit, gjithçka është e dukshme në Big Brother. Adeljada ra në “rrjetën” e ngritur nga vetë ajo…! Në qoftë se ka dashuri, ajo duhet të përjetohet. Njeriu nuk ka pse t’i fshihet realitetit. Sepse dashurinë, kur e pranon për të tillë, ajo është e verbër dhe nuk ka nevojë për kamera.

 

 
Back

Search site

© 2009 | te gjitha te drejtat e rezervuara |besi2.tk|besi --- Lecos.