Moza: Dashuria me Polin? Jemi puthur vetëm një herë

27/04/2009 19:39

 

moza-polioMoza është shprehur se ka qenë fanse e Polit gjatë kohës kur ai ishte pjesë e “Big Brother”Arjoni dhe Eltoni në këtë fillimjave vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së banorëve të “Big Brother”, edhe pse u larguan nga shtëpia prej eliminimit të dyfishtë në spektaklin e së shtunës mbrëma. Asnjë nuk e priste të dilte Arjoni, edhe pse Anjeza i ka rrëfyer Junës se gjatë gjithë javës kishte parandjenjën se ai do dilte. “Nuk ia thosha, se më vinte keq. Më duket sikur unë jam shkaku”, është shprehur ajo.

Policët e “Portokallisë” në shtëpi
“Vëllai i Madh” ka dashur t‘u bëjë banorëve të shtëpisë një tjetër surprizë. Kanë qenë kësaj radhe policët e spektaklit të famshëm të humorit “Portokalli”, që kanë hyrë në shtëpinë e “Big Brother”. Ata i kanë pritur banorët në zonën e kampingut si policë të vërtetë. Pjesa më e madhe e banorëve, që i njihnin ata, kanë qeshur, ndërsa disa të tjerë, si për shembull Bjordi, janë trembur disi. Ata kanë qëndruar gjatë në shtëpinë e “Big Brother”, duke e mbushur atë me të qeshura dhe humor. Banorët dhe policët kanë kënduar së bashku këngën që këta të fundit, kishin shkruar për ta.

“S‘e prisnim të mos nominoheshim!”
“Shpëtove ti!” - i ka thënë Adelajda, Qetsorit, ndërsa bisedonin jashtë në oborrin e shtëpisë, së bashku me policët e “Portokallisë”. “Ishte e paparashikueshme!” - ka thënë Qetsori. Edhe Ari ka thënë pak a shumë të njëjtën gjë. Duke ua shpjeguar situatën edhe policëve, ai dhe Qetsori u kanë treguar atyre habinë në momentet që Arbana lexonte emrat e të nominuarve. “Nuk e prisnim të mos nominoheshim!” - kanë thënë ata, duke shtuar se kishin kujtuar se mos nuk e kishin dëgjuar mirë, apo ishte fjala për ndonjë ngatërrim.

“Më duket sikur jam unë shkaku!”
Junida i ka qëndruar gjatë gjithë kohës pranë Anjezës së trishtuar nga dalja e Arjonit. Ajo i ka thënë të mos mërzitej dhe të mundohej t‘i merrte gjërat pozitivisht. Prania e policëve të “Portokallisë” brenda shtëpisë së “Big Brother” sikur ia largoi fillimisht mendjen, por më vonë, pas largimit të tyre, kur shtëpia ra në qetësinë dhe rutinën e përditshme, ajo shpërtheu në lot. “Je e mërzitur apo të vjen inat?” - e ka pyetur Juna, ndërsa bisedonin të dyja vetëm, të ulura jashtë në oborrin e shtëpisë. “Të dyja!” - i ka thënë Anjeza. “Më duket sikur e ndjeja që do të dilte! - ka shtuar ajo më pas. Juna, duke u përpjekur ta ngushëllojë, i ka përmendur faktin që Arjoni ishte në Tiranë. Më pas Juna ka shtuar se prandaj ishte e kotë të përpiqeshe të bëje lojëra apo llogaritje, pasi gjërat ishin të paparashikueshme. “Nuk më besohet që ka ikur Arjoni!” - ka thënë Anjeza, - më duket sikur jam unë shkaku!”.

“Nuk e kuptuam që do të dilte!”
Duke treguar përshtypjet e momentit që kishte kuptuar se ishte Arjoni ai që do të linte shtëpinë e “Big Brother”, Anjeza ka thënë: “U mpiva komplet!”. Kësaj here, “Vëllai i Madh” ka zgjedhur që banori që do të largohej, në ndryshim nga herët e tjera, të ishte ai që do të hynte i pari në shtëpi, te pjesa e banorëve të panominuar. Anjeza dhe gjithë të tjerët, në analogji me rastet e mëparshme, kishin menduar se Arjoni ishte “i shpëtuar”. Por kur e kishte parë të merrte zarfin dhe xhaketën e kishte kuptuar se kishte ndodhur komplet e kundërta. Ajo dhe banorët e tjerë kishin ngelur disi të hutuar e të shtangur nga loja e paparashikueshme e “Vëllait të Madh”. “Nuk i thamë dot asgjë njëri-tjetrit!” - tha Anjeza.

“E ndjeja që do të dilte Arjoni!”
Në vijim të bisedës me Junën, Anjeza i ka treguar asaj se gjatë gjithë javës kishte përjetuar ndjesinë se kësaj here Arjoni do të dilte. Ajo ka thënë se nëse të shtunën e kaluar nuk e kishte pasur këtë frikë, kësaj here e kishte parandier. “Nuk doja t‘ia thosha Arjonit, sepse nuk doja ta mërzisja!” - ka thënë ajo. Ajo i ka treguar gjithashtu se pavarësisht kësaj, në momentin kur katër të nominuarit kishin shkuar në zonën e kampingut, duke u ndarë prej tyre, ajo kishte menduar se ai që do të dilte do të kishte qenë Ari dhe jo Arjoni.

“Qetsori kishte nevojë për pushim!”
Duke biseduar në lidhje me nominimet, Arjani dhe Qetsori kanë ngacmuar Adin, duke qenë se ai ishte në kandidim kundër katër vajzave të shtëpisë. Ndërkohë, për veten, Qetsori është shprehur se ishte i lumtur që nuk kishte dalë. “Ti mirë që s‘dole, por as nuk u nominove!” - i ka thënë Arjani. “Kishte nevojë për pak pushim!” - ka thënë Mimoza. “Si është puna me femrat!” - ka shtuar më pas Arjani, - e treguat veten se kush ishit, luftë me njëra-tjetrën dhe të katërta në nominim!”.

“Rrezikova Mozën, për Anjezën!”
“Nominova Mozën që të ruaja Anjezën!” - ka thënë Adi në prani të të gjithë banorëve të mbledhur në zonën e ndenjes. Ai ka shtuar se nuk donte ta nominonte Mimozën, por e kishte rrezikuar atë për të mbrojtur Anjezën, por mesa dukej Anjeza i mbante inatin e Arjonit dhe prandaj ajo, nga ana e saj, e kishte nominuar. Anjeza ka ndërhyrë, duke thënë se ajo nuk ecte me idetë e të tjerëve dhe nuk mbante inatin e askujt. “Ti Mozën e ke si gocën tënde dhe për mua ke bërë gabim që e nominove!” - i ka thënë Arjani. Sipas këtij të fundit, veprimi i Adit nuk kishte sens.

“Nuk gatuaj për strategji!”
Në bisedë me banorët e tjerë, Qetsori u ka thënë se atij i pëlqente dhe e quante për detyrim t‘u shërbente të tjerëve. “Nuk kam gatuar për strategji!” - ka thënë ai. Adelajda i ka thënë se të paktën ajo asnjëherë nuk e kishte vënë në dyshim. Qetsori ka thënë se ai do të vazhdonte ta bënte, sepse, veç të tjerave e kishte edhe hobi, por as ai nuk donte të ishte jashtë vëmendjes, prandaj e mira do të ishte që me të, në kuzhinë, të qëndronin edhe disa banorë të tjerë.

“Tani po e ndiej lojën!”
“Sot po e ndiej lojën!” - ka thënë Anjeza, duke diskutuar me Junën dhe Qetsorin. Ajo ka shtuar se kishte një muaj brenda shtëpisë së “Big Brother” dhe sot po e provonte për herë të parë këtë ndjesi. Ata, që të tre, kanë qenë të mendimit se në fazën ku ndodheshin, loja ishte jashtë mase interesante. Sipas Qetsorit, nuk mund të parashikohej se kush do të fitonte, pasi kushdo mund të fitonte, qoftë nga banorët e vjetër, qoftë nga banorët e rinj. Sipas Qetsorit, tani ata po luanin siç ishin në të vërtetë. “Tani kemi dalë nga guaska!” - ka thënë ai.

“Kam qenë fanse e Polit!”
“Kam qenë fanse e Polit!” - i ka treguar Mimoza, Adit. Ajo ka shtuar se e pëlqente shumë gjatë kohës që e ndiqte në “Big Brother”. “Kur doli jashtë, gjeta një mënyrë, nëpërmjet internetit, që të komunikoja me të!”. Pas kësaj, siç tregon Mimoza, ishin bërë shumë shokë. Kur Polin, pak kohë më vonë e kishin ftuar në Kosovë, ajo ishte takuar për herë të parë me të dhe takimi kishte ndodhur në një diskotekë. “E pëlqeva shumë kur e pashë dhe gjithashtu edhe ai më pëlqeu mua!” - ka vijuar Mimoza tregimin e saj. Më pas ata ishin takuar edhe disa herë të tjera. Ajo ka thënë se ata nuk kishin një lidhje shumë të ngushtë. “Vetëm një puthje kemi pasur, asgjë tjetër!” - ka thënë Mimoza. Ajo ka shtuar se të dy e pëlqenin njëri-tjetrin dhe se ajo i vlerësonte shumë fjalët që ai i kishte shkruar. “Të njëjtat gjëra mendoj dhe unë për të dhe e përqafoj shumë!” - ka përfunduar ajo.

“Arjoni të ka dashur shumë!”
Anjeza i ka thënë Qetsorit, se Arjoni e “kishte pasur shumë xhan” këtë të fundit dhe e shprehte gjithandej me të gjithë. “Aq sa mua më vinte shumë inat që e shprehte dhe i thosha ‘mos thuaj që e do aq shumë!‘”. Qetsori ka thënë se ndoshta Arjoni e donte më shumë nga ç‘e donte ai, por sipas Anjezës ata të dy e donin njëri-tjetrit, pavarësisht se kush e shprehte më shumë. Adela ka ndërhyrë duke thënë se Qetsori kuptohej kë donte e kë jo, pavarësisht se mundohej ta fshihte. “Arjoni e ka kuptuar vetë sa dhe kur”, ka thënë Qetsori.

“Harruat të më nominoni”
Sori dhe Ari ngacmojnë njeri-tjetrin për faktin se asnjë prej tyre nuk doli në nominim. Sori thotë se ai nuk doli se ndoshta ka ndryshuar formula e nominimeve nga banorët, ndërsa për Arin i vjen çudi, sepse ai ka folur shumë gjatë javës së kaluar, duke u bërë i bezdisshëm. Ari ia kthen se ndoshta këtë gjë do publiku. Ata fillojnë të flasin edhe për momentin e largimit, ku Sori, sikur ta dinte, i thoshte Arjonit që t‘i puthte djalin kur të dilte, ndërsa Junën e pyeste nëse do fliste ende me Arin që ta përdorte si motiv për nominimet. Ata qeshin me batutat e tyre. Sori vazhdon të ngacmojë të tjerët se asnjë prej tyre nuk e nominoi, sepse kujtonin se e kishin nominuar të tjerët, duke e harruar kështu fare. Adi ia kthen se kjo tregon që ata nuk bëjnë pakte me njëri-tjetrin, ndërsa Ari i thotë se vërtet mendonte se Sori e kishte të sigurt nominimin e ndaj nominoi të tjerë. Ari shprehet se më e vështirë do të jetë kur të eliminohet ndonjë prej tyre një javë para finales.

Back

Search site

© 2009 | te gjitha te drejtat e rezervuara |besi2.tk|besi --- Lecos.