Anjeza, “look-u” prej kameleoni i banores më të re në “Big Brother”

01/04/2009 19:04

 

Është e fundit që ka hyrë në shtëpinë e famshme “Big Brother” dhe rrëfimin për veten e ka bërë pak a shumë kështu. Dita e Anjezës 20 vjeçare fillon me vajtjen në shkollë në orën 08:00. Pasi mbaron mësimin shkon në parukerinë “Frida” në rrugën “Bardhyl”, punë të cilën e lë rreth orës 10:00 të mbrëmjes. Nëse pyet mikeshat e saj më të afërta, tregojnë se pasioni për parukerinë i Anjezës është një “marrëzi” e vërtetë, kur bëhet fjalë për të eksperimentuar me “look”-un e saj. I pëlqen të ndryshojë pambarimisht. Kur pozoi për një konkurs vajzash në revistën “Trendy”, ishte shumë e vogël dhe flokët i kishte thjesht të shkurtra, në ngjyrën natyrale kaf. Por që nga ajo kohë Anjezën nuk mund ta shohësh dy javë njësoj. Nga
pesë vite, fillimisht kurs dhe pastaj punë në këtë parukeri, ajo mund të ketë ndryshuar dhjetëra modele, gjatësi, apo ngjyra flokësh, nga e verdha, kafja, e kuqja, e zeza, e deri tek fijet lejla. Me baluke, pa baluke, kaçurrela apo të shtrira, ajo pothuaj i ka provuar të gjitha modelet që i shkojnë. E nisi kursin e parukerisë që në moshën 15 vjeçare, dhe që atëherë punon çdo ditë në turnin e pasdites në këtë sallon, ku modelojnë flokët shumë vajza të njohura të ekranit. Nuk dihet se si do shkëputet Anjeza, nga pasioni për parukerinë, sepse vazhdon studimet e larta në vitin e dytë në degën e Juridikut, në një nga universitetet private në Tiranë, pasi ka mbaruar shkollën e mesme për gjuhë të huaj. E çfarë tipi ka qenë Anjeza jashtë shtëpisë?
“Tip i thjeshtë, e shoqërueshme me të gjithë, dhe po ashtu lajkatare”, thonë shoqet e saj. Mbase për natyrën në dukje të butë, të afërmit e morën pak me frikë hyrjen e saj në “Big Brother”, nëse mund ta përballojë dot ose jo lojën mes banorëve të tjerë, që tashmë kanë krijuar dhe grupimet mes tyre. Por
mikeshat tregojnë se Anjeza është aq tip i urtë, sa të mos durojë kapriçot e banorëve të tjerë, pasi kur e shikon që dikush e tepron me të ajo është e aftë të mbrohet. Përsa i përket argëtimit njihet si vajza që i pëlqen të bëjë jetë nate.

Fundjavat i kalon në lokalet e natës në zonën e ishbllokut. Jeni kuriozë më
shumë për “look”-un e saj?! I pëlqejnë tatuazhet. Një të tillë e ka në shpatull, një tjetër në dorë dhe po ashtu në gisht. E si shumë prej banorëve në “Big Brother” me histori të trishtuara personale, edhe Anjeza ka një histori të tillë familjare. Ajo ka humbur të atin që kur ishte dy vjeç, dhe bashkë me motrën më të
madhe Klodi, janë rritur me të ëmën, Xhulin, e cila punon si infermiere në Poliklinikën nr. 4 në Tiranë. Përsa i përket jetës private ajo pohoi vetë para pak ditësh brenda shtëpisë, se për momentin nuk ka të dashur dhe se i ka dhënë fund një lidhjeje para dy vitesh. Sesa e gatshme do jetë të përballojë jetesën në “Big Brother”, do ta tregojë vetë ajo, ndërkohë që ideja për të hyrë aty ishte një vendim për të provuar këtë eksperiencë televizive, që mund ta sjellë fati vetëm një herë në jetë.

Back

Search site

© 2009 | te gjitha te drejtat e rezervuara |besi2.tk|besi --- Lecos.