Mimoza nuk është femra ideale për Arjonin.

24/03/2009 23:17

 

 Rrefen Besi Kondo: "Arjoni do të kishte një flirt me Mozën, vetëm në qoftë se do të jetonin të braktisur të dy në një ishull, ku nuk do të kishte femër tjetër". Kështu ka pohuar Besi Kondo, kushëriri i Arjon Muçës, një prej djemve më simpatikë të Big Brother-it. Qëndrimi në shtëpinë BB-së të kushëririt të tij, i ka kushtuar edhe Besit disa orë të mira qëndrimi përpara televizorit. Ai është jo vetëm kushëriri i Arjonit, por edhe një nga miqtë më të mirë që ka në Shqipëri. Muça është bërë objekt bisedash dhe thashethemesh, për marrëdhënien e tij me vajzën nga Kosova, Mimoza Krasniqin, për të cilët nuk dihet nëse mes shikimeve të tyre
ka vetëm shoqëri apo diçka më tepër.... Duket sikur midis tyre po lind diçka. Por nuk mendon kështu kushëriri i Arjonit, djali i tezes së tij. Në një intervistë më "Shekulli"-n, Besi tregon jetën e Arjonit jashtë Big Brother-it, marrëdhëniet e tij me femrat dhe kulturën që ai ka marrë në Itali. Duke e njohur shumë mirë Arjonin, pohon se, "po ta shihte në rrugë Mozën, as nuk do t'i hidhte sytë".

Ju jeni kushëriri i Arjonit. Si i keni pasur marrëdhëniet me të, para se ai të futej në Big Brother?
Unë, ndryshe nga Arjoni, jetoj në Tiranë, jam barist, por njëkohësisht, edhe studioj në vit të tretë për italisht. Kemi marrëdhënie shumë të mira bashkë. Ushtroj profesionin e modelit, ashtu si edhe kushëriri im, dhe kjo gjë na bashkon më shumë. Kemi marrë pjesë në disa sfilata bashkë. Edhe pse Arjoni, gjatë gjithë kësaj kohë ka jetuar në Itali dhe unë në Shqipëri, kemi folur vazhdimisht, kemi ruajtur një lidhje të veçantë.
Kur e mësuat që Arjoni do të konkurronte për t'u bërë pjesë e Big Brother-it?
Isha në dijeni që Arjoni do të vinte nga Italia për të marrë pjesë në audicionet që organizonte BB-ja për përzgjedhjen e personave. E kam ndjekur hap pas hapi udhëtimin e tij drejtë këtij reality show, pasi e kam shoqëruar gjithandej.
Cili është qëllimi i futjes së Arjon Muçës në atë shtëpi?
Qëllimi është i thjeshtë: Arjoni do të shkëputet nga Italia, me shpresën për të marrë pjesë në botën e spektaklit, të ndjekë pasionin e tij për artin. BB-në e pa si një trampolinë për ambiciet e tij profesionale.
Cilat janë cilësitë e Arjonit?
Mbi të gjitha, ai është një njeri i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë në ato që thotë. Është një person që di të joshë audiencën me ato që thotë. Një tjetër anë pozitive e tij, është se ai di të përshtatet me çdo grupmoshë. Sipas meje, kjo vjen për shkak të kulturës që ai ka marrë në vendin ku ka jetuar për kaq kohë, Italia. Gjëja tjetër e rëndësishme, ai është një djalë pa paragjykime.
Po anët negative të tij, të cilat mund të ndikojnë dhe në shtëpinë e Big Brother-it?
Është një person instiktiv, fyhet shpejt në sedër. I pëlqen të bëjë shaka, të dialogojë, por edhe të bëjë shokë. Një gjë që të bën përshtypje te Arjoni, është se duket si ironik, por në fakt nuk e ka ironi djallëzore.
Ju e ndiqni kushëririn tuaj gjatë ditës në "shtëpinë" e tij?
Unë gjysmë dite punoj dhe pjesën tjetër të ditës, sigurisht që e ndjek, deri në momentet që ai shkon të flejë.
Kush është Arjoni në të vërtetë, po e shfaq ai veten?
Javën e parë, jo, nuk bëri asgjë për të shfaqur veten. Këtë javë është vënë më në dukje. Kam vënë re që nuk tërhiqet nga debati, kërkon ta çojë deri në fund. Do të këtë kohë që të shfaqet si është.
Baza e pjesëmarrjes së tij nuk janë lekët. Por ai do që në këtë spektakël të dalë një person pozitiv, ashtu siç është.
I keni për reagimet e tij në debate apo tema të ndryshme, si u janë dukur?
I kam ndjekur me interes. Janë trajtuar disa tema mes banorëve, ku Arjoni ka shfaqur idetë e tij të qarta për sa i përket korrupsionit, dënimit me vdekje dhe prodhimit të krimit. Në diskutimin e fundit, ai ishte për parandalimin e krimit. Pohoi së një person, para se të kryejë një krim, duhet të numërojë deri në dhjetë. Për këtë fjalë, ai u kundërshtua nga Dritani. Po nejse... përplasje mentalitetesh.
Si e shikoni marrëdhënien e tij me Mozën, a është vërtetë i tërhequr Arjoni nga ajo?
Nuk më pëlqen fakti, pasi po imponohet një ide, sikur Arjoni është i tërhequr nga Moza. Ajo nuk është femra ideale për të. Ai pëlqen vajzat mesdhetare dhe ato të Amerikës Latine. Nuk është Arjoni nga ata tipa që gjuan kaq afër. Një femër si Moza, ai nuk do ta shikonte në rrugë. Në qoftë se do të lidhej më të, marrëdhënia e tyre do të zgjaste vetëm një ditë dhe jo më shumë. Moza është ajo që është bindur sikur Arjoni është e interesuar për të. Marrëdhënia midis tyre është si midis të rinjsh, pa e ngatërruar situatën. Ai me Mozën mund të flirtonte, vetëm po të rrinte në një ishull si Robinson Kruzo dhe nuk do të kishte femër tjetër.
Pse mendoni kështu?
Moza nuk po shfaqet. Nuk i pëlqen atij që, një femër t'i bëjë interesanten dhe nuk i preferon personat enigmatikë. Ashtu siç është vetë spontan, ashtu i do edhe vajzat. Për të nuk mjafton që një femër të marrë frymë.
Mos ju duket sikur Moza po afrohet me Arjonin për të fituar pikë?
Po, ajo po kërkon të bëjë një lojë të dyfishtë midis Bjordit dhe Arjonit. Ai i ka lënë të kuptohet asaj, se nuk mund të ngacmojë të fejuarën e shokut, (e ka fjalën këtu për lojën e vendosjes së unazës, midis Bjordit dhe Mozës), kjo thënie vlen shumë. Në jetë është i tillë, me karakter.
Çfarë vlerëson Arjoni më shumë të një femër?
Mënyrën e komunikimit dhe kulturën që ajo ka. Në lidhjet e tij, jep 100 për qind të vetes. Është një kavalier i shkëlqyer. Ai shprehet gjithmonë që, gjeja me e bukur që na ka dhuruar zoti ne meshkujve, është femra. Madje, ka një thënie të veten, ku shprehet se: "Do të më pëlqente të isha një kopshtar, dhe të kujdesesha dhe të ujitja lule, sepse i konsideroj ato si femrat".
Cilët janë konkurrentët më të fortë të Arjonit në atë shtëpi, sipas jush?
Agoni dhe Lirita, këto sepse kanë një kulturë shumë të përparuar. Janë persona që dinë të dialogojnë dhe që nuk kapërcejnë normat. Bjordi, sepse është djalë i pashëm dhe kanë të njëjtin mentalitet. Aida ka si pikë të fortë faktin që është një person, që nuk ka frikë të fshehë idetë e saj.
Cila është këshilla që i ke dhënë Arjonit para se të futej në Big Brother?
Si shok i kam dhënë disa këshilla. Por, në fund i thashë që, thjesht të ishte vetvetja.
Pse mendoni se kushëriri juaj duhet ta fitojë BB-në?
Do ta meritonte fitoren, pasi është një person i gjithanshëm. Përfaqëson rininë e vitit 2009, pa komplekse. Ai merret me sport, lan enët, gatuan... Mund të jetë një shembull shumë i mirë për të rinjtë.
E ka ndihmuar pamja për të qenë djalë i preferuar?
E ka ndihmuar fillimisht, por kjo nuk mjafton dhe kjo është pika e fortë e tij. Është një person që ka bagazh.
Çfarë i uron Arjonit?
I uroj "nerva të çelikta", sepse në këtë spektakël, përballesh me shumë kultura. Do të dalë me një eksperiencë të madhe Arjoni nga ajo shtëpi.
Me cilat nga femrat që janë në shtëpinë e Big Brother-it, mendon se do të kishte një marrëdhënie intime?
Me këta që janë aktualisht, shumë e vështirë. Nejse... asgjëje nuk i dihet.
E mbani mend Arjonin të vogël?
E mbaj mend shumë pak. E shikoja njëherë në vit dhe gjithmonë e më të rritur.

Back

Search site

© 2009 | te gjitha te drejtat e rezervuara |besi2.tk|besi --- Lecos.