Tension nënash në studion e Big Brother

23/04/2009 06:21

 

Nëna e Adelës është vënë mbrëmë në pozitë të vështirë, pas këmbënguljes së drejtueses së emisionit Big Brother, në pyetjet e saj mbi historinë Bjordi - Adela, brenda mureve të shtëpisë së reality shoë-t.
Tensioni në studio u rrit, pasi nëna e Bjordit, në një deklarim të gjatë për djalin e saj, e porositi atë të “mbante afër Adelën”. Ajo tha se e donte fort vajzën nga Kavaja duke iu kundërvënë kështu zërave në faqet rozë të shtypit, se ajo ishte kundër kësaj lidhjeje mes dy të rinjve.
Nëna e Bjordit tha mbrëmë, për herë të parë gjatë emisionit se, sipas saj, “prindërit e Adelës janë nën presionin e opinionit kavajas” dhe se “Adela i kujtonte veten e saj kur ishte 18 vjeçe”. “Isha 18 vjeç, plot me ëndrra, dhe prindërit e mi trembeshin për mua. Më martuan me shkuesi”, - tha ajo duke iu drejtuar Bjordit.
Ajo shtoi më tej se e mbështeste Bjordin në veprimet e tij, mbështeste dashurinë që ai kishte ndaj Adelës dhe se ishte krenare për mënyrën se si po luante djali i saj.

Por, mamaja e Bjordit ka folur gjatë edhe për prindërit e Adelajdës, duke u kërkuar atyre që të jenë më të dashur me vajzën e tyre, me qëllim që edhe ajo të jetë më e lirë brenda shtëpisë dhe të mos jetë gjithmonë nën ankthin e “braktisjes” nga prindërit. Ndërkohë, në studio ka qenë e pranishme nëna e Adelës dhe tezja e saj.

Pas deklarimit të gjatë të nënës së Bjordit, nëna e Adelës u ftua të flasë, por me qetësi dhe duke matur mirë çdo fjalë, ajo i hodhi ujë zjarrit, duke u shprehur se “dashuria është ndjenjë e bukur, por Adela ka një baba, një nënë dhe një familje, dhe se këto gjëra do bisedohen pasi ajo të dalë nga shtëpia e Big Brother-it”.
Drejtuesja e emisionit këmbëngulte në pyetjen, “A është, sipas jush, histori dashurie ajo mes dy të rinjve”. Por, nëna e Adelës, nuk pranoi të përgjigjej. Pas saj drejtuesja e emisionit iu drejtua tezes së Adelës, por as kjo e fundit nuk pranoi të fliste asnjë fjalë, madje kamerat nuk e fokusuan as si figurë.
Adela si personazh ka shkaktuar një tronditje të vërtetë në qytetin e saj. Raportet prej andej flasin për një ndjeshmëri të lartë të opinionit lokal, ndaj saj dhe gjithçkaje që lidhet me të. Ndodhin edhe gjëra të shëmtuara, siç ishte disa ditë më parë përpjekja për të vënë në grindje familjen e Adelës me familjen e një mësueseje kolege, Teuta Hizmo, nënën e këngëtarit të njohur, Erti Hizmo.

Në forumin ulqini.com u shfaqën komente dhe reagime nën emrin e familjes Hizmo, por që në fakt nuk janë bërë prej tyre. Incidente të tilla po shoqërojnë një klimë të pazakontë tensioni që ka përfshirë këtë lokalitet.
Rasti i Adelës, në fakt, dëshmon jo vetëm përpjekjet e një vajze për t’iu arratisur provincës, por edhe ekzistencën e dy Shqipërive: Shqipërisë virtuale brenda ekraneve, me emisione të këtij formati, dhe Shqipërisë reale në terren, që duket ende e papërgatitur për sfida të tilla sociale.

Back

Search site

© 2009 | te gjitha te drejtat e rezervuara |besi2.tk|besi --- Lecos.